“Taksa të ulëta për biznesin, ulim çmimin për naftën dhe energjinë”

Pas takimeve me të rinjtë, Rrugëtimin për Shqipërinë, Lulzim Basha e vijoi me përfaqësues të bizneseve në qytetin bregdetar të Durrësit, përpara të cilëve prezantoi programin ekonomik të Partisë Demokratike.

Në themel të paketës së propozimeve, Basha tha se qëndrojnë jo vetëm uljet e taksave për sipërmarrjen, një pjesë e të cilave të vendosura edhe nga qeverisja e djathtë, por edhe ndalimi i përkohshëm me ligj i disa prej tyre.

“Moratorium 6-mujor dhe të gjitha inspektoriatet do të shkrihen dhe më pas do të rishikohen mbi baza europiane që të mos jenë terror i biznesit. 15 përqindëshi mbi pronën është taksa e akullit, ngrirjes së ekonomisë që nuk e lejon të ecë para. Çmimi i karburanteve, pavarësisht burses, do të jetë 240 lekë më i ulët dhe sa i përket çmimit të energjisë do të jetë në nivelin më të ulët se gjithë vendet e rajonit. Taksa e sheshtë 9%. Paga minimale 300 Euro”.

Kthimi i syve nga biznesi i vogël për kryedemokratin do të mundësojë gjallërimin e ekonomive të familjeve shqiptare, duke synuar sipas tij një paketë që në themel ka uljen e taksave.

“Do të rritet niveli nga 2 milionë në 14 milionë të reja në vit. Do të nxirret nga skema e TVSH. S’do të ketë më kosto shtesë për biznesin për kasën fiskale. 0.5% do i transferohet pushtetit lokal, kjo do të jetë e vetmja taksë, pulla fiskale do të jetë e vetmja garanci”.

Por që të mundësohen këto premtime, Lulzim Basha tha se më parë do të duhet të mbahen zgjedhje të lira e të ndershme.

Ndaj dhe premtoi se pas ardhjes në pushtet, prioritet i qeverisë së tij do të jetë luftë pa kompromis me bandat kriminale në vend të cilat ai i akuzoi se në bashkëpunim me qeverinë kanë shtrirë duart nga biznesi dhe pasuritë e shqiptarëve.

Tv Klan