Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, të parën vizitë jashtë shtetit ka zgjedhur që ta bëjë në Shqipëri. Ai është takuar ndër të tjerë edhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha.

Kryedemokrati mbështeti rolin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni si garantues i stabilitetit demokratik në vend.  

“Me siguri së shpejti do të jenë krah për krah në rrugëtimin tonë të sigurtë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Natyrisht shpreha qëndrimet e njohura të PD-së në mbështetje të rolit të faktorit politik shqiptar në RMV si një faktor stabiliteti, si një garantues i stabilitetit demokratik të proceseve demokratike, i disa proceseve të rëndësishme si marrëveshja e Prespës që i hapi rrugë më në fund anëtarësimit të plotë në NATO. Po kështu edhe në proceset e tjera politike që kanë të bëjnë me integrimin europian”, tha Basha.

Ndërkohë, ministri Osmani tha se raportet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e kanë kaluar nivelin e fqinjësisë së mirë. Ai u shpreh se në interes të dy shteteve tashmë është integrimi në Europë.

“Është vizita ime e parë në Shqipëri si ministër i Jashtëm. Siç theksova në takimin e sotëm raportet tona ndërshtetërore, moti kanë kaluar nivelin e fqinjësisë së mirë, por janë shndërruar në një partneritet, në një miqësi të përhershme që i tejkalon kufijtë e komunikimit zyrtar, por ka një afërsi ndërmjet njerëzve, ndërmjet bizneseve, sektorit civil dhe institucionet e partive politike. Krejt kjo në interes të thellimit të bashkëpunimit bilateral, por edhe impaktit rajonal që ky bashkëpunim reflekton më tej dhe aspiratat tona euroatlantike”, tha Osmani.

Ministri maqedonas u takua në mëngjes me homologen Olta Xhaçka dhe më vonë me Presidentin Ilir Meta. Ai pritet që të takohet edhe me ministrin Pandeli Majko për të firmosur një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e diasporës./tvklan.al