Basha: Votën në 25 prill, jo për të qenë “Skënderbe”



Basha: Votën në 25 prill, jo për të qenë “Skënderbe”

11:28 30/01/2021

Kreu i PD dëgjon shqetësimet e përfaqësuesve të biznesit fason

Votën në 25 Prill, Lulzim Basha nuk e kërkon për t’u shndërruar në një Skënderbe, apo në një bos të gjithëpushtetshëm. Përkundrazi, gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit fason, kreu i demokratëve premtoi se do të mbetet njeriu që qan hallet me qytetarët dhe i zgjidh ato me forcën e ligjit.

“Po të premtoj të njëjtën gjë ty, që unë nuk do ta shoh veten nesër si bosi, si shefi, si Skënderbeu juaj por si njeriu që do qaj hallet me ju për tua zgjidhur me fuqinë që më jep kushtetuta dhe ligji”.

Sipas kreut të demokratëve, ulja e taksës së sheshtë dhe çmimit të naftës, janë angazhimet kryesore të opozitës për qeverisjen e vendit.

“Taksa e sheshtë 9% është një ulje jashtëzakonisht e madhe krahasuar me taksën 15% që ju paguani. Çmimi i naftës 240 lekë të vjetra për litër karburant i shtuar në këto 8 vite. Çdo litër naftë prej ditës së parë të qeverisë të dalë nga vota e 25 Prillit do të jetë 240 lekë më i lirë. Dhe kjo pa diskutim do të reflektohet edhe në vlerën e koston e prodhimit tuaj dhe në aftësinë tuaj për të konkurruar me ofertën tuaj ne tregun Evropian dhe më gjerë. Për biznesin prodhues e njëjta masë do të merret me energjinë elektrike”.

Duke folur për planin ekonomik që prezantoi Partia Demokratike, Basha tha se sulmet janë prova e dështimit të qeverisjes socialiste këto 8 vite.

“Njësoj si ju edhe sektorët e tjerë të ekonomisë edhe shqiptari më i thjeshtë duan ndryshim dhe ky plan është ndryshimi që ata dështuan ta sjellin për 8 vite me rrallë. Unë nuk kam ndërmend të harxhoj as një sekondë kohë me sulmet e tyre, sulmet e tyre janë certifikata e dështimit të tyre 8 vjeçar. Por mbi të gjitha janë një mësim për të gjithë politikën Shqiptare se ku përfundon politika e cila premton botën dhe nuk sjell asgjë”.

Në bashkëbisedimin me biznesmenët, kreu i demokrateve tha se humbja e 15 mijë vendeve të punës gjatë pandemisë mund të rikuperohet duke u hapur me tregjet kryesore që kërkojnë zgjerim.

 Tv Klan         







Të ngjashme