Nga po i njëjti shesh ku një vit më parë u zotua për ringritjen e Teatrit Kombëtar, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, artistët i dhuruan Lulzim Bashës një maket të godinës, si shenjë kujtese për premtimin e dhënë pas shembjes së teatrit në 17 Maj të vitit të kaluar.

“Do ta mbani në zyrë për të na realizuar rikthimin e Teatrit Kombëtar”.

Përpara aktorëve dhe “Aleancës për Teatrin”, Basha ripërsëriti premtimin e dhënë .

“Ata që e shembën, bëjnë gabimin e jetës së tyre nëse mendojnë se beteja mbaroi. Bëjnë gabimin e tyre nëse nënvlerësojnë nënshkrimin tim. Unë nuk shquhem për tone të forta, as për metafora agresive, por çfarë kam nënshkruar e kam bërë realitet. Po ju them sot, se ky simbol nuk do të jetë thjesht një ngacmues i emocionit të dhimbjes për natën e errët të 17 Majit, por do të jetë kujtuesi i përditshëm dhe i përnatshëm deri sa teatri të ringrihet siç ishte, aty ku ishte”.

Ndërsa urdhëruesit e shembjes së Teatrit Kombëtar i paralajmëroi për përballjen me drejtësinë.

“Dua t’ju them atyre që u vërsulën mbi këtë vepër dhe mbi artistët brenda dhe rreth kësaj vepre, nënshkrimi im nuk parashikon vetëm ringritjen e teatrit aty ku ishte, ashtu siç ishte, por edhe çuarjen para drejtësisë të gjithsecilit që mori pjesë në atë krim, nga urdhëruesi, tek zbatuesit do të mbajnë përgjegjësi para ligjit”.

Këto deklarata Basha i bëri gjatë prezantimit të programit për artin, kulturën e trashëgiminë të cilin zgjodhi ta ndajë me artistët në sheshin përpara Teatrit Kombëtar.

Tv Klan