Basha: Angazhim për të vënë në lëvizje prodhimin e energjisë së rinovueshme

Para përfaqësuesve të Shoqatës se Energjisë së rinovueshme, kryedemokrati Lulzim Basha prezantoi programin e PD për energjinë, nëse vota në 25 prill e bën kryeministër të vendit.

 “Ne do ta reformojmë këtë sektor duke bërë liberalizimin e vërtetë të tregut, jo atë në letër që na tundte virtualisht edhe para dy ditësh kjo qeveri që dështoi me bursën e energjisë, duke filluar me mirëadministrimin e kompanive publike, të cilat janë të fundosura nga korrupsioni, paaftësia dhe nepotizmi, duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe miqësor, në radhë të parë për ju por edhe për investitorët e tjerë privatë të brendshëm dhe të huaj”, tha Basha.

Në selinë blu, përfaqësuesit e Shoqatës së energjisë, i shprehën shqetësimin kryedemokratit Basha për korrupsionin në këtë sektor.

“Një ndër problemet më të prekshme është korrupsioni në të gjitha hallkat etj etj”, u shpreh Byberi.

Përgjegjës për këtë, për Lulzim Bashën është qeveria që sipas tij ka lejuar të përfitojnë vetëm grupe oligarkësh.

“Ka humbur dhe shteti miliona, dhjetëra miliona, qindra miliona, që do t’i përfitonte drejtpërdrejtë dhe indirekt nëse nuk do të ekzistonte kjo situatë. Kush ka përfituar? Një grusht të korruptuarish”, theksoi Basha.

Lulzim Basha e mbylli diskutimin me premtimin se pas 25 prillit fokusi kryesor do të jetë tek angazhimi i qeverisë së tij për të vënë në lëvizje prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Klan News