Reagimi i kreut të opozitës pas vendimit për të mbyllur shkollat, kopshtet dhe çerdhet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon që një nga prindërit në marrëdhënie pune që duhet të kujdeset për fëmijët e vegjël pas vendimit për të mbyllur shkollat, kopshtet dhe çerdhet duhet të paguhet ose kompensohet në vlerë të plotë nga shteti.

“Pas vendimit për mbylljen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve, duhet që shteti të paguajë apo kompensojë me vlerë të plotë një nga prindërit në marrëdhënie pune që duhet të kujdeset për fëmijët e vegjël gjatë kohës që çerdhet, kopshtet dhe shkollat qëndrojnë të mbyllura”, shkruan Basha.

Dy persona janë konfirmuar me koronavirus në Shqipëri, duke bërë në këtë mënyrë edhe rastet e para me virus në vendin tonë. Më herët, gjatë një postimi në rrjetet sociale, kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve që të kujdesen për higjienën personale, të kufizojnë udhëtimet dhe të qëndrojnë në shtëpi nëse nuk ndihen mirë.

“Sot nuk është koha për panik, por për masa të shpejta dhe të vendosura”, shkruante ai. /tvklan.al