Basha: Prioritet i qeverisë sime, punësimi i të rinjve



Basha: Prioritet i qeverisë sime, punësimi i të rinjve

19:30 04/01/2021

“Dështaku duhet të marrë atë që meriton”

Lulzim Basha premtoi përpara gjimnazistëve të Tiranës se prioriteti i qeverisë së tij do të jetë punësimi i të rinjve. Kjo sipas Bashës do të realizohet duke financuar në fusha të rëndësishme si arsimi dhe duke sjellë investime të huaja.  

“Prioritet nuk do të thotë të marrësh tribunën e të flasësh me orë të tëra, apo të gdhihesh e të ngrysesh në Instagram, e kam për kryeministrin. Prioritet do të thotë të dedikosh fonde, t’ju tregosh investitorëve që je serioz, do të thotë të dedikosh fonde për uljen e taksave dhe për financimin e arsimit profesional”.

Shqetësimit të gjimnazistëve për pandeminë nëpër shkolla, Basha iu përgjigj përmes planit të Partisë Demokratike, që përfshin testimin masiv të mësuesve, dezinfektimin periodik të mjediseve dhe vaksinimin masiv kundër gripit. Pika këto që sipas Bashës nuk u zbatuan nga qeveria.

“Në 70% të shkollave të Shqipërisë nuk ka ujë të rrjedhshëm ku hapi i parë kundër pandemisë, por hapi i parë edhe për higjienën personale, është larja e duarve edhe pa pandeminë. Po nga ana tjetër ata paguajnë për aferat e një grushti njerëzish, ky është dështim politik dhe dështaku duhet të marrë atë që meriton”.

Basha premtoi edhe heqjen e tarifave për studentet në vështirësi ekonomike. 

“Heqja e tarifave për studentët e bachelor dhe master që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta, pra subvencionim nga shteti. Ekselenca kudo në botë financohet, e njëjta do të ndodhë edhe në Shqipëri, brenda kësaj është edhe financimi i ekselencës sportive”.

Basha tha se po bashkëpunohet me qendra të ekselencës europiane që për t’ju mundësuar të rinjve trajnimeve speciale në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes.

Tv Klan







Të ngjashme