“Biznesi kërkon shpresë, rikthejmë taksën e sheshtë 9%”

Biznesi prodhues i është ankuar kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se është më i prekuri, jo vetëm nga tërmeti Nëntorit, por edhe nga pandemia. Gjatë një takimi që zhvilloi me Bardhyl Baltëzën, sipërmarrës i një fabrike letre në Durrës, kryedemokrati u njoh me shqetësimin e tij për rënie të fitimit, barrën e rëndë fiskale, si dhe çmimin e lartë të dritave e të ujit.

“Të paguash 12 lekë kilovatin e energjisë elektrike, ju merreni me mend kur të tjerët e paguajnë 5 cent”.

I vetmi përgjegjës për rënien e ekonomisë në kolaps,  Basha thotë se është Kryeministri Rama, të cilit prej më shumë se një muaj i kërkon zbatimin e planit pesë pikësh të opozitës.

“Kemi propozuar për këdo që është hequr nga puna, ti s’ke hequr njeri por të tjerët janë detyruar të heqin njerëz nga puna, t’u japim nga një 200 mijë lekë të vjetra në muaj me kushtin që t’i rimarrin në punë. Për kreditë që je i detyruar të marrësh, në qoftë se merr kredi për të paguar punëtorët gjithçka për sa i përket interesit paguhet nga shteti, pra do t’i marrësh me 0 interes.”

Rimëkëmbjen e ekonomisë e sheh të mundur vetëm përmes alternativës qeverisëse dhe programit që ofron partia e tij, e cila në themel ka taksën e sheshtë dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për sipërmarrjen prodhuese.

“Dhe për këtë mbetemi të vendosur për atë platformë që e kemi diskutuar edhe më parë së bashku me kolegët tuaj dhe të çmimit të naftës dhe të çmimit të energjisë konkurrent në rajon dhe jo më të lartin siç është sot, të taksës së sheshtë 9% sa i përket biznesit prodhues siç jeni ju.”

Kryetari i opozitës ritheksoi premtimin për sigurimet shoqërore 18 %, dhe uljen e çmimit të naftës, që synon reduktim të ndjeshëm të kostove për biznesin.

Tv Klan