“Ka dhe viruse të tjera që duhen larguar”

Nga Velipoja ku vijoi turin e tij të takimeve me biznesin e vogël dhe sipërmarrës, kreu i Partisë Demokratike akuzoi qeverinë se nuk i ka dhënë asnjë ndihmë konkrete sektorit të turizmit për të kaluar pasojat që ka shkaktuar pandemia.

Ai theksoi se Partia Demokratike kur të vijë në pushtet do ta ketë turizmin një prioritet të qeverisjes së saj, ndërsa bëri të ditur se do të ndërmarrë një sërë masash që do t’i vijnë në ndihmë këtij sektori.

Qytetari: Ishalla po na largohet dhe kjo koronavirusi, se atëherë vijnë dhe turistë më shumë.

Basha: Padiskutim! Por ka dhe viruse të tjera që duhen larguar. Për shembull taksa e Rrugës së Kombit është një pengesë shtesë se kushton lekë. Thjesht për të udhëtuar nga Kosova në Shqipëri ka dy pengesa të mëdha, çmimi i naftës që është më i lartë se në Kosovë, apo jo? Dhe këto janë dy çështjet që sot ndoshta nuk zgjidhen dot, po nesër në qeverisjen tonë do zgjidhen. 240 lekë taksa që është vendosur mbi karburantin gjatë këtyre 7 viteve do hiqet dhe taksa e Rrugës së Kombit do hiqet siç e kam premtuar. Dhe kjo pa diskutim që do ta ulë dhe koston për turistët nga Kosova, do bëjë të mundur që më shumë qytetarë të Kosovës t’i drejtohen bukurive të plazheve të Velipojës e plazheve të Shëngjinit, e plazheve të tjera të Shqipërisë nga Velipoja në Dhërmi, nga Saranda e kudo tjetër.

Basha u ndal edhe te aksioni i IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e plazhit në Velipojë, duke u shprehur se ato janë bërë në mënyrë selektive dhe në prag të sezonit turistik.

“Është bërë selektive për të favorizuar një grup njerëzish. Dihet që Velipoja prej kohësh vuan nga thundra e krimit të organizuar, njerëz që vendosin se kush merr lejet e ndërtimit, e kujt duhet t’i prishet prona që të lirohet toka, që t’i marria lejet e ndërtimit, emra të njohur tashmë jo thjesht për Policinë Shqiptare që rri duarkryq e nuk i prek dot se janë ortakë politikë të pushtetarëve, të partisë në pushtet në Shkodër dhe në Tiranë, por emra të njohur edhe për Europolin edhe për Interpolin”.

Ai bëri të ditur se kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj qytetarëve dhe ka prishur ndërtimet për interesa të ndërtuesve do të përgjigjet para ligjit sapo PD të vijë në pushtet.

Tv Klan