Shkoi në Fier për t’i kërkuar demokratëve që të zgjedhin të ardhmen, por Lulzim Basha pritet me protesta nga një numër i madh prej tyre. Një numër i madh policësh janë vendosur jashtë godinës ku do të zhvillohej takimi për të garantuar sigurinë e kryedemokratit.

Por në takimin që shënon nisjen e një turi të tij në të gjithë vendin që nisi dhe përfundoi fiks në të njëjtën kohë kur Sali Berisha zhvillonte takimin në Shkodër, Lulzim Basha mendon se ish-Kryeministri dhe ata që e mbështesin janë pakica që shkelën vijën e kuqe të kësaj force në 8 Janar.

Në krah të Enkeled Alibejat, ish-ministër në qeverinë Berisha, Basha mendon se PD ka marrë dhe vazhdon të ketë kosto nga ish-ministrat e korruptuar gjatë qeverisjes demokrate.

Këtë Basha pohon se e ka kuptuar pas 25 Prillit . Sipas tij një nga arsyet pse u frenua ndryshimi i shumëpritur ishte dhe fakti se në gjirin e PD vijonte të qëndronte Sali Berisha, ndonëse vetë Basha në 25 Prill deklaron se nuk erdhi në pushtet për shkak të masakrës elektorale të Edi Ramës.

Berishën e fut në të njëjtin grupim me Ramën e Metën që sipas tij vijon të bashkëpunojnë për të mbrojtur pasurit e vendosura nga korrupsioni. Përsëriti se të shkuarën do ta lënë pas dhe demokratët dhe shqiptarët do ta mbështesin atë për t’i dhënë fund tranzicionit politik.

Tv Klan