Teksa dyshen Marku-Prela i akuzon se e kanë kthyer organin e akuzës në një celulë të krimit të organizuar, Lulzim Basha zgjedh t’i drejtohet me një apel prokurorëve që sipas tij nuk janë vënë në shërbim të Kryeministrit për të mbrojtur vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafajn.

“Ju bëj thirrje prokurorëve të ndershëm që t’i rezistojnë urdhrave të paligjshëm dhe arbitrarë të Arta Markut dhe Donika Prelës  që janë vënë në shërbim të Edi Ramës dhe krimit për të shkatërruar hetimet dhe provat”.

Përgjimi zyrtar i organit të akuzës për çëshjten “Babale”në të cilin thotë se faktohet sesi kupola e policisë dhe prokurorisë ka gjetur, manipuluar dhe paguar një dëshmitar të rremë për të shpëtuar Agron Xhafajn, do të mjaftonin për Lulzim Bashën që të priteshin fletë- arrestet për disa nga drejtuesit e lartë të policisë dhe të merrej si i pandehur deputeti Taulant Balla.

“Të nxjerrin menjëherë fletë-arrestet për Ardi Veliun dhe Drejtorin e Policisë së Fierit, të nisin menjëherë pa humbur kohë procedurën e heqjes së imunitetit dhe marrjes së pandehur të Taulant Ballës, dhe të nisin hetimin për pengim të drejtësisë ndaj Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës”.

Një thirrje pati edhe për punonjësit e policisë.

“Mos pranoni që të trajtoheni si shërbëtorë të Kryeministrit, mos lejoni që të trajtoheni si shërbëtorë të krimit”.

Në fund, por jo nga rëndësia, një mesazh edhe për socialistët.

“Duhet të distancoheni sot për të shpëtuar partinë tuaj, para se kjo parti të shkatërrohet nën sundimin e krimit”.

I vendosur në kauzën për çlirimin e politikës nga krimi, të paduruarve u kujtoi se kësaj beteje do t’i shkojë deri në fund.

“Fitorja ndaj krimit dhe pushtetit mafioz të Edi Ramës është e pashmangshme dhe e afërt”.

Tv Klan