Zgjedhje të parakohshme së bashku me vendorët

Me nisjen e sezonit të ri politik në Shtator, opozita do të rinisë edhe protestat. Kryedemokrati Basha thotë se veç tubimeve, pjesë e aksionit do të jenë dhe marrëveshjet me kategori të ndryshme të shoqërisë e biznesit.

“Përveç protestave, që do të jenë edhe më të mëdha, edhe më të fuqishme, në një situatë që është edhe më e vështirë, edhe më e pakapërdishme për njerëzit, siç është kjo e sotmja, me ekonominë, me gjendjen e një krize totale, me buxhetin e vjedhur e të grabitur, me taksa të rritura edhe më shumë, që parashikoj e parathonë protesta edhe më të fuqishme, paralelisht me këto do të fokusohemi edhe më shumë në zgjidhjet që do t’u ofrojmë shqiptarëve, zgjidhje të cilat do të jenë si në rrafshin e përditshmërisë së tyre, ku po punojmë intensivisht, në kuadër të programit tonë për marrëveshje me të gjitha grupet e interesit.”

Pjese e këtij aksioni është edhe strategjia për të çuar përpara dekriminalizimin.

“Të dëshmojnë kapacitetet dhe vendosmërinë tonë për t’u dhënë fund problemeve të cilat kanë bllokuar perspektivën evropiane të Shqipërisë, në veçanti luftën kundër krimit të organizuar, dekriminalizimin e plotë të politikës dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin, siç është rasti i dosjeve 184 dhe 339, për të cilat më kot ata që duhet dhe do të dalin para drejtësisë shpresojnë se do t’i varrosin me vapën e Gushtit.”

Ajo që nuk ndryshon është kërkesa për qeveri tranzitore dhe zgjedhjet të parakohshme që sipas Bashës duhet të jenë në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale.

“Zgjidhja e vetme e krizës, një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale.”

Sa i takon 13 Tetorit, datës së dekretuar nga Presidenti Meta për zgjedhjet lokale thotë se është një datë Kushtetuese. Këtu Basha akuzon trupën e KQZ për shkelje Kushtetuese.

“Data 13 Tetor është data kushtetuese për zgjedhjet vendore e dekretuar nga Presidenti i Republikës. 13 Tetori është një tjetër tregues i kapjes së të gjitha institucioneve të lira dhe i paligjshmërisë në të cilën është zhytur i ashtu quajturi Komision Qëndron i Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera që e kishin për detyrë kushtetuese të nisnin procesin zgjedhor vendor me 13 Tetor. Siç e keni parë, ata jo thjesht kanë dështuar, por në bindje të urdhrave politikë kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjin për të dhënë një tjetër provë se me Edi Ramën nuk mund të ketë asnjë lloj procesi, as zgjedhor e as votimi. As kur kandidon vetëm, voton vetëm dhe numëron vetëm.”

Për strategjinë e re opozitare Basha thotë se ka informuar dhe ndërkombëtarët, 2 prej të cilëve ambasadorin austriak në Tiranë dhe nën/kryetaren e grupit parlamentar të CDU/CSU i priti në zyre këtë të marte.

Tv Klan