Basha publikon propozimin e PD për Reformën Zgjedhore

Basha publikon propozimin e PD për Reformën Zgjedhore

17:56 03/10/2019

Lulzim Basha ka publikuar propozimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar për Reformën Zgjedhore.

Propozimi i selisë blu për këtë reformë përbëhet nga 5 pika, për të cilat Basha thotë se do ta konsultojë me qytetarët për të marrë sugjerime.

“Shqipëria ka nevojë për një Reformë të vërtetë Zgjedhore të hartuar me transparencë dhe të konsultuar me qytetarët dhe të gjitha grupet e interesit. Reforma Zgjedhore kërkon vullnet të pastër politik për tu realizuar dhe zbatuar. Dëshiroj që konsultimi të nisë me ju! Ndaj ju ftoj të ndani me mua mendimet dhe sugjerimet tuaja”, shkruan në Facebook kryetari i PD Lulzim Basha.

Në pikën e parë thuhet se Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk është legjitim pasi në përbërje ka anëtarë që sipas opozitës kanë kryer krime elektorale në zgjedhjet e vitit 2017. Në këtë aspekt, PD propozon që procesi i reformës zgjedhore të drejtohet nga një strukturë që përbëhet nga përfaqësues të OSBE/ODIHR, BE, SHBA, një përfaqësues i mazhorancës dhe një përfaqësues i opozitës.

Në pikën e dytë të propozimit të opozitës së bashkuar kërkohet që të dënohen krimet elektorale të zgjedhjeve të kaluara.

“Diskutimi për reformën zgjedhore duhet të kryhet sipas një rendi përparësish, me qëllim zgjidhjen e problematikave që kërkojnë vullnet politik për të garantuar zgjedhjet demokratike”, shkruhet në pikën e tretë.

Opozita kërkon gjithashtu garanci shtetërore për të barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve që garantojnë ushtrimin e të drejtës së votës.

Ndërsa në pikën e fundit, Partia Demokratike kërkon mundësinë e referendumeve për qytetarët. /tvklan.al

Propozimi i Partisë Demokratike – Kliko KËTU




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi