Lulzim Basha thotë se paketat ekonomike të qeverisë për pandeminë kanë rezultuar gjysmake. Ndërkohë që qeveritë e tjera të botës vazhdojnë mbështetjen ekonomike për qytetarët e tyre, sipas kreut të PD-së, e jona ofron vetëm video 3D dhe propagandë.

Basha shton se PD-ja i ofroi qeverisë propozime konkrete për situatën, por qeveria Rama i refuzoi.

“Qeveria Rama refuzoi t’i marrë në konsideratë propozimet tona duke i lënë shqiptarët dhe ekonominë e tyre në mëshirën e fatit. Sepse si në ditët e para të pandemise dhe sot kur situata si shëndetësore dhe ekonomike është tejet e rënduar qeveria Rama mendon vetëm për veten dhe klientët e saj oligarkë”.

Basha shton se PD-ja është e angazhuar për ta sjellë ekonominë në “shinat e zhvillimit dhe siguruar punësimin e shqiptarëve”.

“Punësimi mbetet prioriteti im kryesor dhe për ta garantuar këtë ne do të marrim vendimet dhe veprimet e nevojshme”, shkruan Basha.

Prandaj ai shton se lehtësimi i barrës fiskale, përgjysmimi i lejeve dhe licencave dhe ulja e taksës së punës janë disa nga masat e para që do të marrë nëse zgjidhet në krye të qeverisë. “Çlirimi i ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët do t’i hapë rrugë tregjeve të lira, zhvillimit dhe punësimit të njerëzve”. /tvklan.al