Në takimin me banorë të zonave Fan dhe Kthellë të Mirditës, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë për mungesë të vëmendjes ndaj qytetarëve. Sipas Bashës, shteti është vënë në dispozicion të krimit

Këta që bërtasin shtet-shtet-shtet, shtetin e paskan për Emilianon, shtetin e paskan për Koço Kokëdhimën, shtetin e paskan për bijtë e tyre që të marrin tenderat e shqiptarëve, të marrin tenderat e OSHË-së, të marrin hekurudhën shqiptarëve, të veshin syze 60-mijë euro, aq saç  është ndihma ekonomike në muaj për Mirditën. Shteti ku vitin e kaluar vetëm për karburant dhe për makinat e shtetit janë abuzuar 34 milionë dollarë. Imagjinoni se çfarë shifrash bëhet fjalë, sa për të ngrit pensionet e gjithë Shqipërisë

”, deklaroi kreu i PD-së.

I bindur se opozita do të ketë sukses në zgjedhjet e 2017, kreu i opozitës tha se jeta e qytetarëve do të ndryshojë.

Si mund të hapen vende pune kur biznesi i cili kërkon kushte të favorshëm për të investuar i rritet me 50 përqind taksa apo kërcënohet nga banditët, nga shullazët me gjoba, me tritol?! Si mund të hapen vende pune kur krimi dhe njeriu që është ngarkuar me Kushtetutë të luftojë krimin janë bërë një e nuk dallohet ku mbaron krimi e ku fillon ministri i Brendshëm. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë nën mbikëqyrjen më të  rreptë ndërkombëtare që prej vitit 1991 sepse bota e ka kuptuar se çfarë oligarkësh janë këta dhe se shpresën e fundit e kanë për të vjedhë zgjedhjet

”, deklaroi Basha.

Për banorët e këtyre zonave, Basha bëri publikë disa nga pikat e programit ekonomik të Partisë Demokratike mbi subvencionet për fermerët si dhe investimet në infrastrukturën bujqësore. /TV KLAN