“Heshtja e SPAK po inkurajon vjedhjen”

Për Lulzim Bashën buxheti për vitin 2021 është me i papërgjegjshmi në këto 30 vite. Kryedemokrati akuzoi kryeministrin Rama se destinacioni i parave të shqiptarëve edhe për vitin e ardhshëm janë koncensionet dhe PPP-të korruptive, duke nisur me ato te 3 inceneratorëve.

“120 mln euro të tjera për kontratat korruptive të ashtuquajtura PPP dhe koncensione. Vetëm për inceneratorët 20 milionë Euro të tjera. Madje ia kanë rritur. Tiranës ia kishin parashikuar 7 dhe ia kanë çuar 11 milionë Euro. Në Tiranë ku plehrat i mbledh kompania bijë e kompanisë në Verona drejtuesi i së cilës është arrestuar nga antimafia italiane si përfaqësues i Ndragetës në Verona”.

Ajo që e cilëson vjedhja e shekullit thotë se ka ndeshur në heshtjen e Strukturës së Poaçme Antikorrupsion. Ndaj dhe thirrjen e ka për prokurorët e SPAK-ut, duke u risjellë në vëmendje rastin e ngjashëm që po hetohet në Verona.

“Ndonëse kjo është afera më e madhe dhe më e rëndë korruptive në 30 vite, vjedhja e shekullit, akoma asnjë veprim dhe asnjë komunikim nga SPAK. Kjo sigurisht inkurajon hajdutët”.

Basha tha se me partnerët ndërkombëtarë po punohet për të zbuluar ku kanë shkuar paratë.

“Fokusi i bashkëpunimit të PD-së, timit personal dhe departamenteve përkatëse me agjencitë euroatlantike të partnerëve tanë strategjikë është ndihma e specializuar për të gjurmuar, gjetur  sekuestruar dhe konfiskuar pasuritë e zyrtarëve të korruptuar të depozituara në konto bankare jashtë Shqipërisë, apo të ngurtësuar në forma të tjera jashtë Shqipërisë”.

Kreu i opozitës paralajmëroi se pas ardhjes në pushtet të gjitha paratë që u janë marre taksapaguesve shqiptarë përmes koncensioneve e PPP-të korruptive do të gjurmohen e do të konfiskohen dhe përgjegjësit e këtyre aferave do të përballen me drejtësinë.

Tv Klan