Çdo ditë e humbur kushton jetë!

Transparenca dhe informacioni mbi gjendjen reale të infektimeve janë jetike për kryedemokratin Lulzim Basha, për të ofruar sipas tij garanci dhe siguri për stafet mjekësore dhe për të gjithë qytetarët.

Basha thotë se testimi është mënyra më e suksesshme që po aplikohet sot për të identifikuar të prekurit nga COVID-19 dhe për të shkëputur zinxhirin e transmetimit. Prandaj ai i bën thirrje qeverisë të shtojë urgjentisht numrin e testimeve dhe të bëjë publike gjithë kapacitetet tona laboratorike.

“Çdo vonesë jo vetëm fsheh të vërtetën por do të na kushtojë shumë shtrenjtë! Sa më pak testime, aq më pak persona të identifikuar, aq më shumë të infektuar, aq më gjatë do të vazhdojë karantina dhe më shumë do të thellohet kriza ekonomike”, shprehet kreu i PD.

Sipas tij, koha për të vepruar është tani dhe çdo ditë e humbur kushton jetë./tvklan.al