“Duhet të rrëzojmë këtë sistem të korruptuar”

Gjok Bunaj është një tjetër biznesmen në Tiranë që i tregoi kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha se pandemia e ka çuar aktivitetin e tij drejt falimentit. Ai thotë se krahas masave që kanë penalizuar biznesin e tij, duhet të përballet edhe me taksat e larta.

Gjokë Bunaj: Edhe këto janë një mal me lekë të gjitha, kam falimentuar! Letrat dhe tatimet vinë, përditë paguaj tatime.

Lulzim Basha: Paguan tatime megjithëse nuk ke xhiro, s’ke punë fare?!

Gjok Bunaj: Ku t’i paguaj tatimet, se unë s’kisha lekë, se të kisha lekë do i paguaja.

Lulzim Basha: Sa vite ke që je në biznes?

Gjok Bunaj: 12 vite. Po! Tani asnjë gjë.

Lulzim Basha: Pse ka ndodhur kjo?

Gjok Bunaj: Po sepse në tetor ranë këto grevat e studentëve, ra tërmeti, pandemia, pandemia e ra komplet. Nuk ka qarkullim.

Lulzim Basha: Po mirë, si vazhdojnë taksat kur ti s’ke aktivitet biznesi?

Gjok Bunaj: S’ka xhiro, s’ka! Xhiro zero. I duan takat këta, i duan.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se qeveria me politikat e saja e ka çuar ekonominë në krizë, çka sipas tij ka sjellë që edhe të gjithë qytetarët e tjerë të vuajnë mungesën e mbështetjes financiare nga shteti në këtë kohë të vështirë pandemie.

“Pandemia ka bërë të vetën, kriza ekonomike ka bërë të vetën. Në vend që t’i marri lekët të ndihmojë njerëzit, s’ju ka dhënë absolutisht as një të tretën e atyre që kanë marrë vendet e tjera të rajonit. S’po krahasohemi me vendet e Europës, jemi nën një përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto që ka shpërndarë lekë për njerëzit. Ka dhënë lekë shumë të tjerëve, miliona, njerëzve s’ju ka dhënë, biznesin se ka ndihmuar. Tani problemi është kur falimenton ti, falimentojnë praktikisht 7 familje”. 

Ndaj ai nënvizoi se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një qeveri që punon për ta dhe që do të sjellë shpresë të re për të gjithë.

Gjok Bunaj: Këtu ka ngel t’i fusim shkrepësen e të biem rehat. Të paktën të nxjerrim tymin.

Lulzim Basha: Jo ne duhet të rrëzojmë këtë sistem të korruptuar. Ne duhet të ndryshojmë këtë sistem. Duhet ti kthejmë shpresën Shqipërisë. Ti japim një shpresë të re Shqipërisë. Dhe me gjithë energjitë tona të bëjmë të mundur atë që bën çdo vend tjetër i rajonit. Që paratë e shqiptarëve të shkojnë për të ndihmuar njerëzit, familjet në nevojë dhe biznesin. Të japin kredi me kushte të favorshme për biznesin që është në vështirësi dhe për shkak të pandemisë.

Basha solli në vëmendjeshifrat e FMN-së, të cilat sipas tij e rendisin vendin tonë me akreditimin më të ulët nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Tv Klan