“Mafia e plehrave mori edhe 565 mijë Euro pagesë”

Teksa maxhoranca rrëzonte në Kuvend dekretin e Presidentit për Kodin Elektoral, Lulzim Basha ripërsëriti në adresë të Kryeministrit Rama të njëjtën akuzë.

“Në krye të Shqipërisë sot është një armik i shqiptarëve. Është një armik i dëshmuar i integrimit të Shqipërisë. Po bllokon konferencën e parë ndërkombëtare, për shkak të makthit që e ka kapluar.E pret humbja më e thellë e ndëshkimi më shembullor”.

Në garën e 25 Prillit përballë nuk do të ketë vetëm Edi Ramën,  por tashmë edhe  ish-nënkryetaren e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e cila zyrtarizoi “lëvizjen për ndryshim”, duke u shpallur luftë të tre partive kryesore. Por a i trembet përballjes në betejën elektorale Lulzim Basha me atë që dikur quhej si “zonja e hekurt e Partisë Demokratike”?

“Jo!”

Refuzon të komentojë etiketimet e mbërritura nga gazetaa “Rilindja Demokratike, që i cilësoi lëvizjet dhe partitë e iniciuara nga ish-funksionarë të Partisë Demokratike, si parti kukulla të Kryeministrit Rama.

“S’kam kohë për të humbur as me këtë çështje as me asnjë person, kam prioritete të tjera. Prioritetet e mia i përcakton interesi publik, nuk i përcakton askush tjetër”.

Dhe kur flet për prioritet thotë se ajo që e shqetëson janë paratë e taksapaguesve shqiptarë, që vijojnë të shkojnë në xhepat e klientëve të Kryeministrit për aferën e inceneratorëve.

“Dje mafies së inceneratorëve i ka dhënë 565 mijë Euro pagesë”.

Këto para, sipas Bashës, do mjaftonin të bëheshin 15 mijë tamponë vetëm për Durrësin.

“Çdo jetë e humbur ngarkon me përgjegjësi penale Ramen. Ky është terrorizëm shtetëror me anë të të cilit Rama po vret njerëz se paratë e njerëzve po i’a jep mafies”.

Basha i bëri sërish thirrje SPAK-ut të mos heshtë, por të vërë përpara përgjegjësisë autorët e aferës së inceneratorëve.

Tv Klan