Kreu i demokratëve vijon turin e takimeve

“Punët janë si mos më keq, jam drejt mbylljes së biznesit, të cilin e kam prej 20 vjetësh”

Nga Korça, Lulzim Basha tha se shqiptarët po përballen më pandeminë e varfërisë, duke akuzuar Kryeministrin si përgjegjës për krizën ekonomike që po kalon vendi.

“Në majën e gjuhës të çdo shqiptari është një rrezik tjetër, po kaq i madh, madje edhe më i madh që tanimë njihet si Ramavirusi, që është pandemia e varfërisë, pandemia e krizës ekonomike, pandemia e krizës sociale, e cila po shkatërron ditë për ditë mirëqenien familjare, vendet e punës dhe po shkakton një stres të jashtëzakonshëm në shoqëri dhe në familjet shqiptare.”

Përfaqësuesve të biznesit të vogël, kryedemokrati u premtoi se pas ardhjes në pushtet qeveria e tij do ta çlirojë këtë sipërmarrje nga taksat.

“Një vit karantinë për inspektoratet, në mënyrë që këta njerëz të mos përballen nga mëngjesi deri në darkë, sa ngrini qepenat-ulni qepenat, me inspektorë, me tatimorë, me lloj-lloj harbutësh, që vijnë sa për xhepat e tyre edhe për xhepat e pushtetarëve.  Sa i përket biznesit të vogël siç është Luani, 140 milionë lekë e poshtë, do të kenë një taksë 0.5% e xhiros vjetore. Çdo taksë tjetër lokale apo qendrore çdo tatim tjetër, çdo lloj tjetër formë tarifimi do të zhduket. Do të ketë vetëm një taksë dhe asnjë tarifë dhe asnjë taksë tjetër.”

Sistem konkurrues taksash kreu i opozitës tha se do të aplikohet edhe për biznesin e madh.

“Për biznesin e madh ne do të vendosim taksën e sheshtë 9%, e cila do të synojë që më shumë para të mbeten për investime për hapje vende pune të cilat natyrisht, për çdo vend të ri pune, do të thotë më shumë konsum.”

Më herët kreu o opozitës u takua edhe me fermerë të zonës së Pogradecit, të cilët iu ankuan se në 7 vite nuk janë subvencionuar nga qeveria për prodhimet e tyre bujqësore.

Basha premtoi se për rimëkëmbjen e këtij sektori në programin ekonomik, PD ka parashikuar dhënien e 100 milionë eurove në vit për subvencione që do t’i jepen fermerëve në bazë të prodhimit, si dhe uljen e taksës së karburantit.

Tv Klan