Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se Këshilli Europian do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë në Qershor. Partnerët ndërkombëtarë, sipas Bashës, ia kanë bërë të qartë këtë edhe Kryeministrit Rama.

“Gjendjen në Shqipëri e dinë të gjithë qytetarët, të djathtë e të majtë, e dinë edhe në Bruksel. Edhe ata që bëjnë sikur nuk i dinë. I di edhe Edi Rama. Partnerët tanë ndërkombëtarë ia kanë bërë të qartë atij, siç kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Evropian i Qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë.”

Duke folur nga Fieri ku zhvilloi takimin e radhës me qytetarët, Basha fajësoi Kryeministrin për atë që ai e quajti ndëshkim të shqiptarëve. Sipas tij, Rama e ka frikë hapjen e negociatave.

“Rama është fajtori i vetëm për këtë ndëshkim. Dhe ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antievropiane. Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave sepse e di fare mirë se çka ndodhur në ato vende ku janë hapur negociatat. Se të parët që kanë shkuar para drejtësisë kanë qenë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin”.

Komisioni Europian rekomandoi këtë të mërkurë hapjen pa kushte të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Tashmë është radha e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të votuar çeljen e negociatave. /tvklan.al