“Rimëkëmbim ekonominë, biznesi i vogël prioritet”

Gjendja ekonomike dhe pandemia ishin në fokus të takimeve që kreu i opozitës Lulzim Basha zhvilloi me qytetarë e biznese në njësinë nr. 3 në kryeqytet.  Qeverinë e akuzoi se ka braktisur shqiptarët, teksa angazhohet për zgjidhje të problemeve me të cilat përballen qytetarët.

“Ka 8 vite në krizë ekonomike, pandemia vetëm ja nxori petët lakrorit. Pjesa kryesore e planit tone ekonomik është hapja e 110 mijë vendeve të punës. Çka do ta arrijmë duke thithur investimet e huaja dhe duke gjallëruar ekonominë , duke zgjuar energjitë e ekonomisë kombëtare me uljen e taksave, me uljen e çmimit të naftës, ato që kanë bërë vendet e tjera dhe ia kanë dalë ta përballojnë krizën shumë më mirë sesa ne.”

Nuk premton mrekulli, por pas 25 Prillit thotë se qeveria e tij do të ketë prioritet rimëkëmbjen e biznesit të vogël, përmes programit për ekonominë.

“Kemi një vit që i kërkojmë qeverisë që paratë e taksave që ua ka marrë shqiptarëve t’ia kthejë shqiptarëve në kohë pandemie. Në vend që të bënte këtë ja ka dhënë një grushti oligarkësh dhe kjo është arsyeja pse jeni në këtë krizë dhe kjo është arsyeja kudo që shkoj takoj njerëz që kanë mbyll dyqanet, kanë mbyll bizneset ose i kanë nxjerrë nga puna. Kjo është emergjencë kombëtare. E para punës, shëndetësia. E dyta, ekonomia.”

Prioritet të punës së tij si kryeministër i ardhshëm tha se ka edhe arsimin.

“Duke nisur me ligjin e arsimit të lartë duke vazhduar me subvencionimin e 100% të tarifave për të gjithë ata studentë që në fakt janë 90% e studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lek të vjetra në muaj.”

Dhe për t’i kthyer në realitet angazhimet e planit të tij për ekonominë tha se i nevojitet vota e shqiptarëve.

“Kështu që me 25 Prill duhet të bëhemi të gjithë bashkë”.

Tv Klan