Basha: Rama e Lleshaj të dorëhiqen



Basha: Rama e Lleshaj të dorëhiqen

00:22 10/12/2020

Ministri: Qartësim i plotë për rrethanat e ngjarjes tragjike

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se shkak i vrasjes së të riut Klodian Rasha është injektimi i brutalitetit dhe ashpërsisë në çdo hallkë të qeverisjes. Basha thotë se për këtë arsye Rama dhe Lleshaj duhet të japin dorëheqjen.

“Kryeqeveritari, vartësi i tij që po të kishte pasur një fije dinjitet do të kishte dhënë dorëheqjen, apo po të kishte pasur një fije dhembshuri kryeministri, duhet ta kishte shkarkuar atë edhe drejtorin e përgjithshëm të policisë por nuk ka mundësi ta bëjë këtë, sepse frymëzuesi i këtij brutaliteti, kësaj arrogance, kësaj shpërfilljeje për dinjitetin, për jetën njerëzore, për jetën e të rinjve është vetë ai”.

Por në një reagim të bërë më herët, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thotë se ka besim se hetimet do të zbardhin të vërtetën.

“Shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës. Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë”.

Ka reaguar dhe Presidenti Meta duke e cilësuar këtë moment si “kohën për të bërë drejtësi”. Sipas tij në 2 vitet e fundit aktet e dhunës nga efektivë të caktuar janë përshkallëzuar dhe përgjegjësia sipas tij është e ministrit të brendshëm dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit.

Tv Klan






Të ngjashme