“Grua e fortë, Shqipëri e fortë”, për kreun e demokratëve Lulzim Basha nuk është thjesht një slogan, por një parim i vështirë që do të nisë të jetësohet pas 25 Prillit. Gjatë një takimi që zhvilloi me gra të qytetit të Burrelit, ai nënvizoi se për të bërë të mundur këtë qëllim Partia Demokratike ka një program të detajuar, që e trajton gruan si të barabartë në shoqëri dhe jo thjesht si një makijazh.

“Nuk do të jeni fasadë, nuk do të jeni numra, as justifikime dhe alibi për dështime, po do të bëjmë gjithçka që të fuqizoheni dhe të keni rolin tuaj në vendimmarrjet politike të qeverisë së nesërme”.

Trajnimet profesionale, paga të barabarta me burrat janë vetëm disa nga pikat e programit të demokratëve që synojnë të kthejnë dinjitetin e munguar të gruas shqiptare.

“T’i japim mundësin për trajnim dhe ritrajnim profesional të paguara nga qeveria grave shqiptare, ç’ka është e domosdoshme për t’i përgatitur për tregun e punës dhe kjo do të ecë paralel me përpjekjet tona. Masat fiskale dhe ekonomike që do të sjellin investime shqiptare dhe të huaja”.

Gjithashtu ai garantoi se lehtësim për gruan shqiptare do jenë edhe një sërë angazhimesh të tjera, që gërshetohen me programin për rininë dhe atë për arsimin. Basha tha gjithashtu se kryeministri I shmanget debatit publik me të, pasi e di shumë mirë se ska ça tu thojë shqiptarëve për premtimet e pambajtura.

“Kur vjen puna te debatet e qep”.

Ai evidentoi tre prioritete të qeverisjes së tij. Më pas gjatë rrugës për në Elbasan ai u ndal të përshëndesë mbështetës të shumtë që kishin dalë në tunelin e Krrabës, i cili sipas tij është dëshmi e fjalës së mbajtur të demokratëve.

Tv Klan