“Hetim për çdo koncension, ndëshkim për këdo”

Dy kontratat koncesionare të Partneritetit Publik Privat për ndërtimin e segmenteve rrugore, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat për kreun e opozitës Lulzim Basha janë klienteliste e korruptive. Në një dalje përpara mediave, një ditë pas miratimit të tyre në parlament, Basha akuzoi Kryeministrin Rama se po grabit pasuritë e shqiptarëve.

“Të gjitha janë koncesione dhe kontrata korruptive në përfitim direkt personal të Edi Ramës dhe klientëve të tij, pa asnjë përfitim publik. Koncesioni i rrugës Milot-Balldren Ndue dhe Agim Kola me vlerë 256 milionë euro për 17 km. Vlera e koncesionit është 3 fishuar. Ish deputeti i PS dhe daja i tij, Gjoka, kanë marrë, së bashku, mbi 500 milionë Euro, nip e dajë. 2. Koncesioni i rrugës Orikum-Dukat, Lorenc Gjikuria me vlerë 70 milionë euro. Edi Rama është hajduti më i madh që ka njohur historia e  Shqipërisë, një grabitës psikik, që vjedh çdo gjë që i del përpara.”

Pas ardhjes në pushtet, kryedemokrati paralajmëroi hetim e ndëshkim ndaj kujtdo që ka marrë pjesë në grabitjen e pasurive të shqiptarëve.

“Nga juristët e thjeshtë deri tek Kryeministri do t’i hetohet pasuria dhe të ardhurat, pa asnjë përjashtim në Shqipëri dhe kudo që t’i ketë. Ata ish-ministra, ish-sekretarë të përgjithshëm, ish-drejtorë etj, që janë larguar, mbasi mbushën xhepat, dhe që sot po investojnë në biznese, në vila, në luks, në restorante, nuk kanë për të shpëtuar”.

Sipas Bashës koncesionet kriminale dhe pastrimi masiv i parave në ekonomi përmes ndërtimeve, kapjes së sektorit bankar dhe kontratave publike janë rrezik për sigurinë kombëtare dhe destabilizmin politik të vendit. Kreu i opozitës tha se Partia Demokratike ka marrë ekspertizë të huaj për hartimin e një programi të posaçëm për hetimin dhe rikuperimin e pasurive të tjetërsuara dhe të vjedhura te shqiptarëve.

Tv Klan