“Diskutimi për sistemin u mbyll më 5 Qershor”

Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se kryeministri Edi Rama nuk mund ta ndryshojë Kushtetutën për koalicionet zgjedhore. Kjo e fundit sipas tij është e sanksionuar në kartat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Kryetari i Partisë Demokratike tha gjatë emisionit “Zonë e Lirë” në Tv Klan se diskutimi mes palëve për sistemin është mbyllur më 5 Qershor, ditë kur u firmos marrëveshja për Reformën Zgjedhore.

Basha u shpreh se mendon që vendi ka nevojë për një reformë të thellë, por kjo nuk mund të bëhet në rrethanat që jemi me mazhorancën e sotme.

“Këtu diskutimi për sistemin është mbyllur me 5 Qershor për një arsye të thjeshtë sepse ne mendojmë që vendi ka nevojë për një reformë të thellë kushtetuese. Sot nuk jemi në rrethana ku me kundërshtarin politik mund të diskutohet kjo temë. Këtë do ta shtrojmë kur të jemi pas zgjedhjeve të ardhshme dhe unë e kam bërë publik që duhet diskutuar pa asnjë paragjykim. Unë kam propozuar një parlament me dy dhoma dhe një sistem mazhoritar. Ky është propozimi im”, tha Basha.

Njësoj si kryeministri Rama, edhe Basha thotë që sistemi nuk është problem, por ai bie pre e demokracisë shqiptare. Me ndryshimin e koalicioneve, sipas Bashës, Rama po ndryshon thelbin e diskutimit dhe çdo gjë bëhet për propagandë.

“Këtu problemi nuk është sistemi. Çdo sistem bie pre dhe është treguar që bie pre e sëmundjes së demokracisë shqiptare që arrin në nivele që e sjell në koma politikën. Kjo përpjekja për të ndryshuar koalicionet është të ndryshosh thelbin e diskutimit, e asaj që po flasim. Është thjeshtë një truk propogandistik. Edi Rama do të bëjë gjithçka për pushtetin e tij”, tha Basha.

Deputetët e opozitës parlamentare, të cilët kanë kërkuar ndryshimin e sistemit dhe koalicioneve zgjedhore Basha i quan një koktej surrogatësh. Sipas tij, shumica e atyre që sot janë në parlament, e kanë nënshkruar lënien e mandateve, por janë blerë nga mazhoranca.

Sipas Bashës, Rama po përdor deputetët e opozitës për të arritur qëllimet e tij pasi është i tmerruar nga zgjedhjet.

“Këtu kemi të njëjtin koktej surrogatësh, njerëz që kanë nënshkruar lënien  e mandateve. Nuk e kemi thënë shpesh këtë. Me përjashtim të dy-tre vetëve të gjithë i kanë nënshkruar djegien e mandateve. I kemi firmat, janë depozituar janë bërë publike. Pas kësaj kanë ndodhur magjira të mëdha. dikujt i janë falur borxhe, diskush ka marrë aleje ndërtimi, dikush ka marrë cash të thatë, dikujt i janë premtuar favore, nxjerrja e vëllait nga burgu ej. Këta përbëjnë në masë të madhe, nuk po them të gjithë, ata që ju i quani opozita parlamentare. Këta që duhet të ishin më të interesuar për koalicione dhe thonë që duhet të kemi prag 5%. Këta janë Edi Rama, i cili si gjithmonë hedh gurin dhe fsheh dorën. E bën sepse është i tmerruar nga zgjedhjet”, tha Basha./tvklan.al