Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me kryekomisioneren e BE-së për Punët e Brendshme Ylva Johansson. Në përfundim, Basha pati një prononcim për gazetarët ku tha se Rama ka dështuar të plotësojë kushtet minimale për integrim.

“Edi Rama ka dështuar të plotësojë kushtet minimale. Edi Rama ka dështuar në çdo rrafsh. Shqiptarët e gëzojnë edhe sot heqjen e vizave sepse unë punova për të përmbushur kushtet e BE-së. Cila është garancia? Vota e shqiptarëve me 25 Prill është garancia që këto kushte do të plotësohen dhe që shqiptarët do të përfitojnë mbështetje financiare, mbështetje politike që do të mundësojë që në vendin tonë të hapen vende pune me paga dinjitoze që bijat dhe bijtë shqiptarë të mos kërkojnë rrugët e emigrimit. Padiskutim që emigracioni ka qenë dhe mbetet realitet 30-vjeçar në Shqipëri. Kemi plan ekonomik që do të fuqizojë investimet. Të gjitha do të jenë sukses në zbatimin e planit tonë kundër korrupsionit dhe krimit”.

Basha tha se ka punuar me Johansson kur u liberalizuan vizat. Ai u shpreh se qeveria ka për detyrë të plotësojë kushtet dhe mori angazhimin që ta bëjë këtë nëse vjen në pushtet./tvklan.al