Ndonëse nën masa të rrepta sigurie, ka përfunduar pa incidente dhune protesta e thirrur nga opozita përpara Parlamentit. Për afro dy orë qytetarët protestuan jashtë Kuvendit teksa në sallë bëhej betimi i katër deputetëve të LSI-së që u ulën në karriget e lëna bosh nga opozita pas djegies së mandateve.

1800 efektivë të policisë ishin në funksion të mbarëvajtjes së protestës jashtë ambienteve të Kuvendit, ku njëra nga hyrjet e godinës , ajo e pedonales ishte bllokuar për kalimtarët.

Të vetmit që mund të kalonin ishin deputetët dhe anëtarët e qeverisë, të cilët mbërritën në seancë rreth orës 09:30 minuta. Kryeministri Rama dhe kryetari i Parlamentit Ruçi shoqëroheshin nga forcat RENEA dhe punonjësit e Gardës.

Lulzim Basha përpara protestuesve e quajti karantinë të krimit Parlamentin, duke mos kursyer akuzat për tradhëti edhe ndaj katër deputetëve të rinj të opozitës që u betuan në Parlament.

Kryeministri Rama në Parlament e cilësoi protestën e opzoitës jashtë Parlamentit reagim të pallatit të politkës, por Lulzim Basha në krah të protestuesve tha se largimi i tij drejt Italisë ka një tjetër qëllim.

“Sa për Edi Ramën, edhe sot si çdo herë tjetër ia ka mbathur të shpërndajë gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij në ekranin e Italisë fqinje. Të paktën kështu thotë. Por burime mike thonë që ka shkuar të negociojë azilin politik”.

Pasi e akuzoi Kryeministrin Rama se ka vendosur një regjim ushtarak, Lulzim Basha i ftoi protestuesit ta ndiqnin në KQZ ku një pjesë e kandidatëve të listës shumëemërore të opozitës dorëzuan kërkesën ku refuzojnë marrjen e mandatit të deputetit. Edhe në KQZ policia kishte marra masa, duke vendosur një kordon policësh në hyrje të institucionit.

Bashës iu desh të negocionte me efektivët e më pas dorëzoi listën e kandidatëve të opozitës, që deri më tani janë 143 emra që refuzojnë të marrin mandatin e deputetit.

I ndjekur nga protestuesit në mbyllje të protestës nga selia e Partisë Demokratike, basha i ftoi qytetarët që të bashkohen në protetën kombëtare të 16 Marsit.

“Dua t’i bëj një thirrje të gjithë qytetarëve në një tjetër akt vendimtar të hapjes së portave të zgjedhjeve të parakohshme, pa Edi Ramën në një javë tjetër që do të na bashkojë më shumë 16 Mars në protestën vendimtare për ta përcjellë kufomën politike, për të shpëtuar të ardhmen tonë, madje dhe për të çliruar Partinë Socialiste”.

Ndryshe nga protesta e kaluar, këtë radhë kishte menduar që himnin të mos e këndonte vetë.

Tv Klan