“Vangjush Dako duhet të ishte në burg”

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar sërish pas vendimit të dhënë të premten nga Gjykata e Durrësit, e cila konfirmoi mandatin e kandidates socialiste për bashkinë e këtij qyteti Valbona Sako.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha thotë se kryeministri përmes Vangjush Dakos dhe krimit të organizuar kontrollon pushtetin lokal, drejtësinë dhe çdo institucion tjetër të Durrësit.

“Bashkëpunëtori i bandës kriminale të Avdylajve, liruesi nga burgu i Lul Berishës dhe pastruesi i parave të krimit në Durrës, duhet të ishte në burg, por ai është padroni i atyre që duhet ta dërgonin në burg, vijon komentin e tij kreu i opozitës”, thekson Basha në postimin e tij.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka kallëzuar në prokurori anëtarët e KQZ, komisionerët e PS dhe zyrtarë të lartë për 30 Qershorin. Në kallëzimin e zbardhur Partia Demokratike i kërkoi Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, të mos pengojë hetimet për krimet zgjedhore duke i shërbyer axhendës së saj personale për t’u emëruar Kryeprokurore dhe regjimit kriminal të Edi Ramës.

Tv Klan