Propozimin e Edi Ramës për të zëvendësuar Fatmir Xhafën me Sandër Lleshin, Lulzim Basha e shpjegon me ambicien e Kryeministrit për të patur nën kontroll të plotë Ministrinë e Brendshme. I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në televizionin Klan, Basha tha se në funksion të këtij qëllimi Rama preferoi një njeri të ardhur jo nga politika.

“Atë që mund të them është që ai është vartës i Kryeministrit, vjen pa përgjegjësi politike, është 100% aty si shkak i vullnetit të Ramës. Kjo përfaqëson plotësisht kapjen e Ministrisë së Brendshme nga Rama, nëse me Tahirin ishim 80 me 20, tani është e gjitha në dorë të tij pas largimit të Xhafës, është dora e Edi Ramës”.

Rrethanat që çuan në largimin e Fatmir Xhafajt, sipas Bashës kanë të bëjnë me luftën e brendshme të klaneve brenda pushtetit dhe vendosmërinë e Kryeministrit për të mos lejuar arrestimin e Vangjush Dakos.

“Fatmiri, Donika, Veliu dhe një sërë zyrtarësh të lartë, po përdoren në këtë luftë të brendshme politike, ku nga njëra anë mbrohet ministri i Brendshëm, dhe nga ana tjetër fillon shpalosja e një dosje tjetër që mund të rrezikojë një njeri tjetër të Ramës. Qëndrimi i Ramës është një qëndrim i një njeriu që përpiqet të kufizojë dëmin. Ai mbrojti Dakon, sepse ai, Dako, sot duhej të ishte në burg. Dako është një njeri i cili e ka bërë të kërcënojë Xhafën”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përjashtoi çdo marrëveshje me Edi Ramën për zgjedhje, ndërsa u dha fund dilemave për marrëdhëniet e tij me ish-kryetarin e Partisë Demokratike.

Tv Klan