Shqetësim rënia e xhiros nga masat e pandemisë

Kryetari i Partisë Demokratike e vijoi në njësinë 8 në Tiranë turin e tij të takimeve me biznesin e vogël. Për këta të fundit shqetësim mbetet rënia e xhiros për shkak të masave kufizuese nga pandemia.

Aplikuam për pagën e luftës, asgjë s’kemi marrë deri më sot. Është shumë keq puna. Po e shtuna e diela pastaj.  Unë kam dhjetë vjet me ketë asnjë ditë nuk e kam mbyll lokalin. Të shtunën në ora 21:00 vjen policia. Mbyll dritat, mbyll lokalin!. Ça është kjo kështu, mua në 20:30 më vijnë klientët, që dalin tani që është verë”, u shpreh pronarja e një lokali të vogël.

Ka nga ata që shprehin mungesë të ndihmës shtetërore.

“As gjysëm për gjysëm nuk është xhiro. Ne ua dhamë komplet Marsin (rrogën), sepse janë të gjithë për kafshatën e bukës, ia dhamë nga xhepi. Tani këta nuk morën as pagën e luftës. Ia dolëm me çfarë kishim kursime në shtëpi”.

Basha u tha se realiteti duhet të ishte ndryshe dhe se paratë e taksave të shqiptarëve duhet të shkonin për këtë shtresë.

“Lekët e taksave duhet t’i çonin për të ndihmuar njerëzit në nevojë, për t’iu dhënë pagën e mbijetesës të gjithëve, për të ndihmuar biznesin, se po u pre zinxhiri i ekonomisë, është e vështirë ta ngjisësh”.

Bizneset shprehën shqetësim mbylljen e fundjavës dhe kufizimin e lëvizjes deri në orën 21:00.

Tv Klan