“Protesta është e të rinjve dhe njerëzve të braktisur”

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bën përgjegjës Kryeministrin Edi Rama për dhunën që sipas tij ka ushtruar policia në protestat për vrasjen e Klodian Rashës. Ai tha se kjo është protesta e të rinjve shqiptar dhe e njerëzve të braktisur nga qeveria.

Revoltë të qytetarëve që në 7 vite qeverisje braktisi shqiptarët. Kështu e cilësoi kreu i opozitës Lulzim Basha protestën e të rinjve.

“Është një protestë e njerëzve të harruar e të braktisur në shtatë vite të qeverisjes së Edi Ramës.”

Edi Rama e cilësoi lider pa karakter që deri më tani nuk është shprehur për dhunën e protestuesve ndaj policisë por Lulzim Basha shprehet se opozita do jetë në mbrojtje të të drejtave të të rinjve, duke dënuar çdo akt dhune ndaj tyre.

“Ai është personifikim i dhunës. Jo vetëm e kam dënuar dhunën e Edi Ramës dhe shtetit policor të cilin e ka ngritur mendon se do të zgjasë jetën kufomës së tij politike. Përsëris thirrjen time ndaj Policisë së Shtetit mos t’i bindet urdhrit për të ushtruar dhunë ndaj protestuesve që protestojnë paqësisht në të drejtën e tyre.”

Hipokrizi e cilësoi vizitën e Kryeministrit në familjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, teksa komentoi edhe VKM e qeverisë.

“Shprehje e dyfytyrësisë, hipokrizisë e njeriut që tjetër thotë e tjetër bën. Tre ditë rrugëve të New York-ut, në dyqanet më luksoze. Nuk gjeti një minutë kohë për të ngushëlluar familjen e Klodian Rashës dhe tani kthehet ditë për ditë tek vendi i krimit. Dhe me poshtërimin e gjakut të viktimës, në tentativën e përditshme për të fajësuar opozitën dhe këdo tjetër për dështimin e tij.”

Por teksa kreu i qeverisë nga konferenca për shtyp i kujtoi 21 Janarin, dhe dhunën sipas tij ushtroi policia në protestë ndaj qytetarëve, Lulzim Basha për referencë i sjell raportin e institucioneve ndërkombëtare të kohës.

“Të gjitha institucionet ndërkombëtare treguan që Policia e Shtetit më 21 iu nënshtrua dhunës, se vrasja tragjike e katër protestuesve ndodhi si rezultat i veprimeve të gardës, të cilët në kushtet e thyerjes së perimetrit vepruan dhe shumë prej tyre pastaj u përballën me ligjin dhe u dënuan. E vërteta është që Edi Rama sa herë kapet ngushtë nxjerr 21 Janarin. Po jo siç është i vërtetë 21 Janari, sepse nuk tregon atë që ishte në grupin e zjarrit e bëri kryetar të Partisë Socialiste të Matit.”

Edi Ramën e fton të ketë frikë nga revolta e qytetarëve që i kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

“Zoti e ruajtë se askush nuk e ruan atë, nëse në shesh dalin 500 mijë veta. E di mirë se çfarë e pret po t’i thërras mendjes se jo 500 mijë, po 1 milionë e 500 mijë do ti dalin në shesh më 25 Prill.”

Tv Klan