Basha: Rama po kërkon të futet në një vrimë që të mos japë llogari



Basha: Rama po kërkon të futet në një vrimë që të mos japë llogari

13:19 31/10/2020

I sigurtë duket kryetari i PD-së, Lulzim Basha, për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët këtë të shtunë, kreu i opozitës i ktheu përgjigje Ramës dhe tha se ai nuk mund të krahasohet me punët që ka bërë PD-ja gjatë qeverisjes.

Sipas Bashës, Rama “po mundohet të gjejë një vrimë ku të futet dhe të mos japë llogari para shqiptarëve”.

“Shqiptarët e kanë të qartë që një njeri që për 8 vite nuk ndërtoi 1 kilometër rrugë nuk ka as moralin, as cipën të krahasohet me punët e bëra në të shkuarën. Por Edi Rama e di se sa më shumë të merret me gënjeshtra për shtatë vite dështim përpiqet që të heqë vëmendjen nga ajo që shqiptarët do të vnedosin me 25 Prill. Shqiptarët do të vendosin për të ardhmen, Edi Rama është e shkuara. Nuk i ka mbetur asgjë tjetër veçse të gënjejë e të shpifë si një i pacipë në prag të largimit. Dua të sjell në vëmendje që kjo sjellje e tij, e gjithë kjo gërr-vërre e tij Nëpër Shqipëri ka një qëllim që të mos kthejë përgjigje pyetjeve që shtrova sot. I arratiset pyetjeve. Nga Kukësi, në Bejrut e kudo që të mundet… Po mundohet të gjejë një vrimë ku të futet dhe të mos japë llogari para shqiptarëve që i ka lënë në mëshirë të fatit. Më 25 Prill kjo do të marrë fund”, tha Basha.

Kryedemokrati u shpreh se pas zgjedhjes së 25 Prillit, nëse del fitues, do të hetojë korrupsionin e rindërtimit.

Tepër sensitiv për të është edhe hetimi i çështjeve të inceneratorëve. Edhe njëherë, Basha u bëri thirrje prokurorëve të SPAK që të tregojnë se ku janë me hetimet dhe se çfarë i pengon që të bëjnë detyrën.

“Çfarë ju detyron të hani turpin me bukë dhe të mos zbatoni ligjin, mos të vini para ligjit grupin e strukturuar kriminal të biznesmenëve dhe politike. Ku jeni me hetimet, pse nuk keni thirru asnjë nga personat e thirrur në këtë aferë. Pse nuk keni marrë asnjë deponim të politikanëve që kanë firmosur në këtë aferë. Pse nuk investigoni? Çfarë ju pengon të bëni detyrën prokurorë të SPAK tashmë që faktet i kanë marrë vesh shqiptarët dhe përtej”, tha Basha. /tvklan.al




Të ngjashme