Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzon Kryeministrin Edi Rama se po rrezikon të prishë marrëveshjen e 5 Qershorit të arritur mes PS-PD-LSI për Reformën Zgjedhore.

Në një reagim në Facebook, Basha ka ndarë me publikun se në takimin e sotëm kokë më kokë me Presidentin Ilir Meta, diskutoi pikërisht për këtë krizë të re politike, që siç thotë kryedemokrati, rrezikon të izolojë Shqipërinë.

“Edi Rama po tenton të prishë një marrëveshje të negociuar me ndërmjetësimin e SHBA, BE dhe Britanisë Madhe, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve me një klimë sadopak normale. Pasojat e një hapi të tillë, do të jenë shumë të rënda për stabilitetin dhe integrimin europian të vendit. Bundestagu gjerman, që është autoriteti, i cili hap ose nuk hap dritën jeshile për negociatat, u shpreh fare qartë dje. Po kështu, është shprehur edhe Komisioneri për Zgjerimin. Prej frikës së Edi Ramës nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit, Shqipëria po rrezikon një izolim të dytë. Opozita e Bashkuar do të bëjë gjithçka që faturën, e cila do të jetë shumë e rëndë, të mos e paguajë Shqipëria dhe shqiptarët, por ta paguajnë ata që janë përgjegjësit e kësaj situate. Ndryshimi që duan shqiptarët është i pandalshëm dhe rotacioni politik i pashmangshëm. I rikonfirmova Kreut të Shtetit se Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndrimet e qarta të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel, Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe Bundestagut dhe i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime të njëanshme kushtetuese, të Dakordësisë së 5 Qershorit”.

Një tjetër çështje më të cilën diskutoi me kreun e shtetit, ishte edhe pandemia e koronavirusit. Sipas Bashës, situata ka dalë jashtë kontrollit për shkak të keqmenaxhimit nga ana e qeverisë.

“Sot me Presidentin e Republikës Ilir Meta ndava së pari shqetësimin për situatën jashtë kontrollit të pandemisë shoqëruar me shifrat e larta të ditëve të fundit të qytetarëve të prekur me Covid-19. Është e qartë se dështimi më i madh i qeverisë është kthimi i spitaleve në qëndra infeksioni, ndërkohë që vazhdon përpjekja e përgjegjësve të kësaj situate të rënduar, për t’u fshehur dhe për t’ia lënë këtë faturë qytetarëve. Për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë, vendi vazhdon të mbetet në listën e kuqe të Bashkimit Europian, duke i izoluar shqiptarët.

Kriza e thellë ekonomike, që po kap dimensione të panjohura për Shqipërinë në këto 23 vitet e fundit, ishte gjithashtu në qëndër të bisedës së sotme me Kreun e Shtetit. Kriza e menaxhimit të pandemisë dhe ajo ekonomike, i ka rrënuar shqiptarët dhe zbrazur xhepat e tyre”. /tvklan.al