“Rama pranoi se e ka zhytur vendin në korrupsion”

Për Lulzim Bashën pas tetë viteve në pushtet, Kryeministri Rama pranoi më në fund se qeveria e tij e ka zhytur vendin në korrupsion. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i opozitës thotë se tashmë shqiptarët e kanë të qartë se peshku qelbet nga koka.

Këtë qëndrim të kryedemokratit e përforcoi më tej nga selia blu edhe deputetja Jorida Tabaku, duke e bërë kreun e qeverisë përgjegjës për ngritjen e një sistemi korruptiv përmes dhënies së tenderave pa garë, madje edhe në kohë pandemie.

“1 në 3 tendera jepen pa garë. Të gjitha tenderat e rindërtimit që Rama sot i vëzhgon duke u krenuar janë dhënë pa garë, janë dhënë në limitet e fondit, me 99% të vlerës. Gjatë pandemisë janë dhënë tendera pa garë, tendera sekretë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë  kanë qenë kampionë. Mbi 2 miliard euro koncesione të dhëna nga qeveria Rama me ofertë të pakërkuar, pa garë, kompanive të preferuara prej tij. Toka sot në bregdet jepen me 1 euro me VKM”.

Tabaku thotë se pjesë e kësaj skeme korruptive është edhe afera e inceneratorëve, para të taksapagueseve që sipas saj shkojnë për një projekt mafioz. Duke iu referuar të dhënave të KLS-së selia blu sqaron se në tetë vite qeverisje dëmi ekonomik i shkaktuar nga tenderat korruptivë arrin në vlerën e 7.2 miliardë Eurove.

Tv Klan