PD kërkon hetimin e Valdrin Pjetrit

PD kërkon hetimin e Valdrin Pjetrit

10:28 12/08/2019

Basha: Fshehu dënimin për trafik droge

Përmes një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, kreu i opozitës Lulzim Basha i ka bërë thirrje Prokurorisë që të marrë të pandehur kryebashkiakun e zgjedhur të Shkodrës Valdrin Pjetri.

Basha shkruan  se Pjetri ka shkelur ligjin e dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge, ku dhe është dënuar nga gjyatat italiane.

Sipas kreut të Partisë Demokratike, është Kryeministri Rama ai që qeveris me krimin e që i ka dhënë urdhër organit të akuzës që ta mbrojë kryebashkiakun e zgjedhur të Shkodrës nga ligji i dekriminalizmit.

“Që të largojmë krimin – përfundon postimin e tij Basha – duhet larguar Kryeministri Rama”.

Në kundërpërgje të deklaratave të opozitës dhe disa pankartave të shpërndara në qytetin e Shkodrës, ka reaguar edhe Valdrin Pjetri. Kryebashkiaku i zgjedhur thotë se ai nuk është e keqja e Shkodrës, nuk ka abuzuar dhe as ka shpërdoruar fonde publike.

“Traktet e shpërndara natën nëpër Shkodër, organizuar nga 4-5 persona, nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve shkodranë dhe as interesat e demokratëve të ndershëm shkodranë. Thjesht duan të largojnë vëmendjen nga abuzimet shumëvjeçare të bëra në Bashkinë Shkodër, dhe nuk e ndryshojnë dot faktin se pas një jave ky abuzim do përfundojë njëherë e mirë. Valdrin Pjetri nuk është e keqja e Shkodrës. Nuk është ai që ka abuzuar dhe ka shpërdoruar pafund fonde publike. Valdrin Pjetri nuk është shkaktar i gjendjes së mjerueshme ku gjendet qyteti i Shkodrës sot. Në pak muaj të gjithë banorët e Shkodrës do shikojnë realitetin ndryshe, të një qyteti që do administrohet dhe menaxhohet me përkushtim dhe devotshmëri. Qentë le të lehin, karvani ecën perpara. Ditë më të mira do vijnë për Shkodrën dhe banorët e saj”, ka deklaruar Valdrin Pjetri.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT