Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, konsideron fajtor Edi Ramën për gjendjen e Shqipërisë, që sipas kryeopozitarit ka mbetur në vendnumëro. Ai u shpreh se kryeministri Rama ka pasur të gjitha pushtetet që nga koha e Enver Hoxhës dhe prapë se prapë ka dështuar.

Basha tha se qeveria e ardhshme nuk do ta ndalë emigracionin, por janë arsyet se pse emigrojnë të rinjtë që tregojnë nëse ka dështuar një qeveri apo jo.

“Shqiptarët e duan vendin e tyre. Nuk është fati i shqiptarëve që gjendemi këtu. Nuk janë shqiptarët përgjegjës për gjendjen ku ndodhet vendit. Ka vetëm një përgjegjës, i cili ka pasur të gjitha pushtetet 4 vitet e fundit si asnjë tjetër, si nga koha e Enver Hoxhës dhe që ka dështuar dhe si rezultat i kësaj kemi mbetur në vendnumëro. Kjo është arsyeja pse emigracioni ka marrë përmasa katastrofike, emigracion ka patur dhe do të ketë gjithmonë. Do të ishte gënjeshtër totale t’ju thoja unë sot që qeveria e ardhshme do ta ndalë emigracionin. Jo nuk do ta ndalë emigracionin. Emigracion ka edhe Gjermania, janë përmasat e emigracionit, arsyet e emigracionit ato që tregojnë nëse një qeveri ka dështuar apo jo në këtë aspekt”, tha Basha.

Ndër të tjera ai shtoi se për çdo të ri që largohet nga Serbia largohen 12 të rinj nga Shqipëria./tvklan.al