“Ekonomia pritet të tkurret me 9%”

Rënie negative të ekonomisë thotë kreu i opozitës Lulzim Basha se do të ketë Shqipëria. Bazuar në parashikimet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Basha shprehet se për vendin tonë pritet që ekonomia të tkurret me 9 përqind.

Kjo për kreun e selisë blu është shifra më e keqe se çdo vend tjetër i rajonit. Sipas Bashës kjo ndodh pasi kryeministri Edi Rama zgjodhi të paguajë oligarkët me paratë e taksave.

“Ekonomia jonë pritet të tkurret me 9%, më keq se në çdo vend tjetër, sepse Ramavirusi zgjodhi të paguajë me paratë e shqiptarëve miqtë e tij oligarkë dhe jo njerëzit e bizneset. Prej Ramavirusit njerëzit janë sot pa punë, të varfëruar dhe pa asnjë mundësi të përballojnë krizën”, shkruan Basha në Twitter.

Pak më vonë, në një postim në Facebook, pas takimit me qytetarë të ndryshëm, Basha tha se Shqipëria ka 10 herë më shumë të papunë prej keqmenaxhimit të krizës. Ai bëri thirrje që të mbështeten familjet në vështirësi.

“Pandemia ekonomike ka prekur shumicën e familjeve shqiptare që sot më shumë se kurrë kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje konkrete. Dhe jo për fjalë dhe show në Facebook”.

/tvklan.al