Rama: Fshihesh pas komiteteve. Vrave PD-në, por hëngre shpullën e Saliut

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama pasi ky e fundit e ka pyetur se çfarë roli ka pasur opozitari në dosjen e përgatitur për “Shtëpinë e Verdhë”.

Përmes një video-mesazhi, Basha thotë se Rama po përhap gënjeshtra kundër tij. Kreu i opozitës shprehet se kryeministri i bën këto deklarata për të tërhequr vëmendjen nga kriza në vend.

Ndër të tjera i thotë Ramës se e ka vënë “jetën në shërbim të vendit” dhe se kryeministri nuk i bën dot moral për patriotizëm.

“Rama, duhet të të vijë turp nga vetja. Në vend që të luftosh kovidin, në vend që të marrësh masa për të shpëtuar ekonominë, në vend që të ndihmosh qytetarët – ti po përhap gënjeshtra monstruoze kundër meje. Harxhon gjithë kohën për të përhapur gënjeshtra në vend që të shpëtosh jetën e qytetarëve shqiptarë dhe ekonominë tonë.   Si nuk ke turp? Edhe për nivelin tënd të ulët, kjo është e papranueshme.  Si të gjithë qytetarët shqiptarë, unë jam mësuar të dëgjoj gënjeshtra nga ti. Sepse ti nuk je ne gjendje të mbash asnjë premtim të vetëm. E vetmja gjë që bën është shkatërrimi i ekonomisë dhe i të ardhmes tonë.  Ndërkohë që merresh me vizatime dhe nuk shkulesh nga Instagrami, unë e kam vënë tërë jetën time në shërbim të vendit. Për Shqipërinë. Për shqiptarët. Për pavarësinë e Kosovës.  Ti nuk më bën dot moral mua për patriotizëm. Ti nuk më mëson dot mua çfarë është besnikëria ndaj Shqipërisë. Edhe sot me gënjeshtrat, mashtrimet dhe veprimet e tua ti dëmton Shqipërinë, Kosovën dhe interesat kombëtare. Po ta them qartë dhe prerë, të gjitha akuzat e tua janë shpifje dhe mashtrime për të larguar vëmendjen nga skandalet dhe dështimet e tua që po i paguajmë me jetë njerëzish”, tha Basha.   

Më tej, kryeopozitari thotë se Rama do të japë llogari para drejtësisë, ndërsa vetë po punon që të shërojë vendin.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit tha se Basha pëlqen të fshihet pas komiteteve dhe këtë gjë bëri edhe në procesin e vlerësimit të kandidatëve në Partinë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme. “Në fund vrave PD, varrose Komitetin dhe hëngre shpullën e Saliut”, shkruante Rama.

“Lulëzim unë nuk fshihem pas asnjë komiteti, po ty të kuptoj se ti i bën komitetet për t’u fshehur siç bëre komitetin për të “vrarë” çunin e Fariut me patllaken Bujar Nishanit e Salianjin me thikën e Genc Rulit! Dhe në fund vrave PD varrose Komitetin dhe hëngre shpullën e Saliut”, thuhej në postimin e plotë të Ramës në rrjetet sociale./tvklan.al