Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët këtë të hënë, kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur se kryeministri Edi Rama ua ka premtuar vetë naftëtarëve të Ballshit rrogat e prapambetura, por edhe ky është premtim i pambajtur sipas tij.

Duke komentuar deklaratën e Ramës për naftëtarët, Basha tha se nuk negociohet me terroristët, por jo me naftëtarët të cilëve iu ka premtuar vetë.

“Kjo e naftëtarëve është me të vërtetë diçka e tmerrshme, të mos pranosh negociatat me njerëz të cilëve iu ke premtuar dhe je shkaktar që nuk ke mbajtur premtimet prej vitit 2016 për rrogat e prapambetura nuk di çfarë emri ti vësh. Nuk negociohet me terroristët, por mos të negociosh me naftëtart të cilëve vetë iu ke premtuar dhe e ke shkelur premtimin. 16 rroga i detyrohet Edi Rama. Ka dhënë premtimin, e ka bërë komunikim me Skype para 2 vitesh. Gënjeshtra, pallavra, premtime të pambajtura dhe tani thotë nuk negocioj. Me kë? Me njerëz që iu ke vënë lakun në fyt. Të gjithë e dimë se si ka ecur ajo aferë. T’i verë gishtin kokës se për çdo jetë përgjegjësi është vetëm një, kryeministri”, tha Rama.

Kryedemokrati u pyet nga gazetarët në lidhje me ish-anëtarë të PD-së që sot po e bëjnë luftën jashtë selisë blu, duke ndërtuar parti ose lëvizje të reja. Basha tha se kushdo që kërkon ndryshimin tek PD-ja gjen një aleat të besueshëm, ndërsa ata që mendojnë ndryshe janë patericë e qeverisë.  

“Të gjithë ata që ndajnë bashkë me ne dëshirën dhe vullnetin për ndryshimin që kërkon Shqipëria janë pjesë e një përpjekjeje. Ata që kanë vendosur që të bëhen patericë e një kryeministri të dështuar, që ka shkelur çdo premtim ata mendoj se e kanë të lidhur fatin me të. Kushdo që do ndryshimin e ka të hapur rrugën e opozitarizmit. Është e pandalshme energjia jonë, pozitiviteti jonë. Përgjigjet që kemi ndaj krizës janë vetëm një pjesë e vogël e lëvizjes madhore për ndryshim. Ndryshimi është i pandalshëm. Kushdo që ka dëshirën që ka vullnetin e sinqertë dhe do ndryshim ka te PD një aleat të besueshëm”, tha Basha./tvklan.al