“Zgjedhjet antikushtetues, Rama kapi pushtetin vendor”

Për Partinë Demokratike raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR konfirmoi se zgjedhjet vendore ishin antikushtetuese. Në një dalje enkas pas publikimit të raportit, kreu demokrat, Lulzim Basha, theksoi se procesi i 30 Qershorit ishte më problematiku dhe më i pandershmi i dy dekadave të fundit.

“Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik, kemi një raport i cili nuk flet thjesht për parregullsi teknike, apo shkelje, por për krime të mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore Siç konfirmon raporti, nuk ka ligj, nga Kushtetuta deri tek vetë rregulloret e KQZ-së që të ketë mbetur pa u shkelur. Së pari, raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe u mbajtën në shkelje të dekreteve të Presidentit. 

Së dyti raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit nuk ishin zgjedhje dhe nuk patën asnjë lidhje me të drejtën e popullit për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Ato ishin një farsë zgjedhore dhe tallje demonstrative me pluralizmin politik dhe dhe demokracinë përfaqësuese. Së treti, për të realizuar këtë farsë antikushtetuese dhe një partiake u shkelën ligjet dhe standardet zgjedhore”.

Sipas Bashës, 30 Qershori ishte një grusht institucional për kapjen e pushtetit vendor nga Edi Rama.

“Ky grusht institucional u realizua sërish në bashkëpunim e krimin. Ndonëse jo objekt i vlerësimit të Raportit, tashmë është një e vërtetë e njohur botërisht është se: Në mënyrë të qëllimshme, kapjen e pushtetit vendor Edi Rama e ka bërë në bashkëpunim me kriminelë. Janë deri tani dy kandidatë për kryebashkiakë të vertetuar me të shkuar kriminale dhe priten të tjerë. Për të kuptuar rëndësinë e këtij fakti duhet të kemi parasysh diçka: më 30 qershor nuk kishte asnjë konkurencë, nuk kishte asnjë garë. Edi Rama mund të emëronte këdo që dëshironte pa u shqetësuar se sa vota do të merrte. Por edhe në këto kushte zgjedhja e tij e natyrshme ishte krimi, ishin personat me rekorde kriminale”.

Për Bashën, zgjidhja është largimi i Kryeminsitrit Rama. Ai theksoi se vendi ka nevojë për një reformë të thellë zgjedhore dhe ky është një nga prioritetet e Partisë Demokratike.

Tv Klan