Menjëherë pasi aleatët e Lulzim Bashës shpalosën platformën për zgjidhjen e krizës politike, kryetari i Partisë Demokratike tha se qëndrimet e partive opozitare janë në përputhje të plotë me marrëveshjen e firmosur pak ditë më parë.

“Nuk ka asnjë mospërputhje mes qëndrimeve të PD dhe gjithë koalicionit tonë. Një pjesë e mirë e pikave që aleatët kanë shpalosur sot janë dhe pikat e programit tonë, ka një përputhje totale. Koalicioni opozitar po vepron me bashkëpunim, mirëkuptim dhe sinergji të plotë për të ecur përpara”.

Pika që e ndan me aleatët e tij është ulja në tryezën e dialogut me Kryeministrin Rama, largimin e të cilit e ka një kusht të panegociueshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Regjistrimi në zgjedhje dhe pjesëmarrja në zgjedhje vetëm kur të ketë vërtetë zgjedhje dhe jo një farsë kriminale dhe kushti për këtë mbetet largimi i Edi Ramës nga qeveria dhe një qeveri tranzitore që do të plotësojë kushtet për të cilat do të keni më shumë informacione në ditët në vijim”.

Ndonëse Lulzim Basha ka paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve nëse nuk plotësohen kushtet që garantojnë një garë të ndershme, Partia Demokratike synon që kandidatët në zgjedhjet e ardhshme do të dalin nga primaret. Një formë demokratizimi dhe modernizimi kjo e PD-së sipas Bashës, për të cilën po japin kontributin përfaqësues të Institutit Ndërkombëtar Republikan.

Tv Klan