Veliaj: Metës e Berishës u tregojmë vendin më 25 Prill

Edi Rama e ftoi të mos heshtë duke e etiketuar një kukull në duart e Presidentit Meta dhe ish-Kryeministrit Berisha, por Lulzim Basha përgjigjen ia dha nga Lushnja nga ku vijonte fushatën elektorale. Protestën e kontrollorëve të Albcontrollit në Rinas ia faturoi si dështim Kryeministrit, të cilin e akuzoi se ka vënë interesat e tij personale mbi shqiptarët.

“Edhe kjo që po ndodh me aeroportin nuk është gjë tjetër veçse dështimi i radhës së një njeriu që ka vënë interesat e tij mbi interesat e çdo shqiptari.”

Për situatën reagoi edhe Presidenti Ilir Meta, i cili tha se i është drejtuar zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i kërkuar të fillojë pa vonesë një auditim të plotë në shoqërinë “Albcontrol” .

Por kryeministri Rama iu përgjigj njoftimit të presidentit, duke i thënë se s’mundi të bllokonte ardhjen e vaksinave dhe fluturimet rinisin të premten. Sipas Ramës plani i kreut të shtetit dhe Berishës për bllokimin e vaksinimit në prag të zgjedhjeve dështoi!

Për situatën foli edhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

“Sot për Ilir Metën dhe Sali Berishën kemi një përgjigje. Mos na e merrni njerëzillëkun për dobësi. Sepse ne nuk jemi të dobët, ne do t’ju tregojmë vendin në datë 25 Prill, me votë, dhe në të gjitha proceset ligjore, me Prokurori dhe me Gjykatë për atë që është tradhtia e 7 prillit të dytë. Tradhtia e 7 prillit të dytë”.

Replikat pasojnë ato të së mërkurës, ku palët fajësuan njëra-tjetrën për bllokimin e të vetmit aeroport ndërkombëtar në vend.

Tv Klan