Pasi e akuzoi Kryeministrin Rama se edhe në këto zgjedhje po kandidon persona me rekorde kriminale, kreu i demokratëve Lulzim Basha ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe BE të flasin prerazi tani për këtë çështje dhe jo pas 25 Prillit.

“Në listën e Partisë Socialiste, në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ka prapë persona me rekorde të zeza kriminale, përfaqësues dhe bosë të krimit të organizuar. Është fare e qartë dhe unë pres që Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të flasin qartë dhe prerë për këtë sot, jo pas zgjedhjeve”.

Gjatë forumit “Perspektivat për një të ardhme evropiane të vendit”, ku morën pjesë  personalitete të politikës gjermane dhe asaj austriake, në krye të listës së prioriteteve si kryeministër, Basha renditi ndarjen e politikës nga krimi dhe vijimin e Reformës në Drejtësi.

“Prioriteti im i parë dhe i qeverisë së ardhshme është ndarja e krimit nga politika. Zbatimi real i ligjit të dekriminalizimit, zgjidhja e duarve të drejtësisë, avancimi deri në fund i Reformës në Drejtësi, me duart larg nga partitë politike”.

25 Prillin tha se nuk e sheh thjesht si një datë zgjedhjesh , por luftë për demokracinë, që nis me sundimin e ligjit.

“Ne duhet të nisim një luftë të vërtetë dhe një përpjekje kombëtare të vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve. Kjo nuk ka ndodhur gjatë 8 viteve të shkuara”.

Krahas depërtimit të krimit në politikë, pengesë për integrimin europian të Shqipërisë në BE sheh edhe korrupsionin, për të cilin me shqetësim foli në forum edhe kreu i ri i CDU, Armin Laschet.

“Ajo mbetet ende e keqja kryesore dhe e pengon Shqipërinë në modernizimin e saj. Zhdukja e korrupsionit nuk duhet të bëhet për integrimin në BE, por për ta bërë vendin më të mirë dhe për ta bërë atë më të fuqishëm”.

Ndihmesë në përmbushjen e aspiratës europiane të Shqipërisë në BE, Basha tha se mund të japë edhe një Parti Socialiste në opozitë e reformuar.

“E çliruar nga kthetrat e krimit të organizuar që sot diktojnë edhe listën e kandidatëve të tyre, shpresojë të jetë një partnere e devotshme në rrugën e integrimit europian”.

Kryedemokrati tha se nesër në qeveri do t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit socialistëve në opozitë për çdo konsensus dhe kompromis në funksion të arritjes së ëndrrës së gjithë shqiptarëve, për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.

Tv Klan