“Ndjesë ish-pronarëve për zvarritjen e procesit”

Prezantimin e programit të demokratëve për çështjen e pronës, Lulzim Basha e nisi me një ndjesë për zvarritjen e procesit në vite.

“Ju lutem të nderuar pronarë të Shqipërisë pranojeni këtë dhe si një ndjesë, në emër të Partisë Demokratike për vonesat, për problemet me të cilat jeni hasur në rrugën tuaj në kalvarin tuaj 30-vjeçar edhe për shkak të përgjegjësive tona të papërfunduara”.

Akuzat për mënyrën si socialistët e trajtuan çështjen e pronës ishin të drejtpërdrejta duke e konsideruar ligjin e miratuar nga kjo mazhorancë të papranueshëm dhe që do të shfuqizohet sapo PD të vijë në pushtet.

“Ne e konsiderojmë ligjin e qeverisë Rama një shpronësim të dytë anti-kushtetues, anti-ligjor.  Ne do të abrogojmë ligjin aktual të pronave dhe të gjitha aktet nënligjore në fuqi që janë të pandershme dhe do të nismën për hartimin e një kuadri ligjor të konsoliduar që jep zgjidhje çështjes së trajtimit të pronësisë.

Një tjetër ligj që do të rishikohet është ai për shpronësimet për interes publik ku sipas Bashës ka pasur abuzime nga qeveria.

“Sot shqiptarët janë në akthin dhe pasigurinë se prona e tyre keqpërdoret nga qeveria e cila ka ndërtuar me vetëdije, me plan një sistem kaotik për qëllime përfitimi të një grupi të vogël njerëzish ortakësh të kryeministrit dhe një grushti pushtetarësh”.

Basha flet edhe për mënyrën si do të kompensohen ish-pronarët.

“Në emër të Partisë Demokratike angazhohem se kuadri i ri ligjor do të reflektojë reflektimin e parimeve themelore ku prioritetet do të jenë: kthimi i pronës, kompensimi fizik, pra në natyrë i pronës dhe… apo pjesa marrje me obligacione në fondet e investimeve publike sipas marrëveshjes me pronarët e shpronësuar”.

Një tjetër proces është ai i legalizimit për të cilin Basha premtoi ta përfundojë.

“Ne angazhohemi që në përfundimin e procesit të legalizimit të filluar prej vitesh duke i garantuar pronarëve kompensimin e plotë dhe të drejtë të pronës, të bëjmë të mundur plotësimin e një prej objektivave të këtij ligji. Fondi i kompensimit të legalizimit do të jetë më vete, në zbatim të ligjit të pronës”.

Basha premtoi një reformë të thellë edhe në Kadastra ku tha se qytetarët vijojnë të sorollaten për të marrë pronën e tyre.

Tv Klan