Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha sot se me ndryshimet në Kodin Penal shitblerja e votës do të dënohet me 1 deri në 7 vite burg.

Këtë deklaratë, Basha e bëri në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike,  ku bëri një përmbledhje të rezultatit të marrëveshjes politike të 18 majit.

“Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale, do të jetë e pa-amnistueshme. Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit”, tha ai.

Kryedemokrati paralajmëroi se shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike do jetë vepër penale dhe të dënohet deri në 5 vjet burgim.

“Përdorimi i të mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, do dënohet vetëm më burgim, nga 1 deri ne 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.”

Gjithashtu ai tha se do të forcohen rregullat për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme.

Këto ndryshime, së bashku me ministrat teknikë, kreun e ri të KQZ dhe Avokatin e Popullit, rezultat i marrëveshjes politike të 18 majit, do të miratohen sot në seancën e pasdites në Kuvend./tvklan.al