Kreu i PD mesazh për ligjshmërinë e Pavarësisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar sot 10-vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Basha ka publikuar një dokument që mban firmën e tij si ish-ministër i Jashtëm drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e ligjshmërisë së shpalljes së Pavarësisë, ndërsa thekson se tashmë është koha për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“10 vjet më parë GJND konfirmoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Sot është koha për njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo i shërben qytetarëve të dy vendeve, paqes dhe stabilitetit të rajonit”, shkruan Basha.

Ai shprehet se Shqipëria në krah të Kosovës me diplomacinë e saj dhe në koordinim të plotë me partnerët strategjikë, dha gjithçka për shpalljen e Pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe tashmë së bashku, në krah të njëri-tjetrit, do të përballojnë çdo sfidë.

Tv Klan