Kamera e fshehtë e publikuar në emisionin “Opinion”, ku i arrestuari për çështjen “Babale”, Alfred Alizoti implikon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe deputetin Taulant Balla, për Lulzim Bashën është dëshmi e krijimit të një shteti privat, përmes së cilit ai thotë se Edi Rama po fabrikon dëshmitarë për të shpëtuar vëllain e Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj.

“Mbrëmë shqiptarët panë fytyrën e këtij shteti privat, deputet, drejtor policie dhe prokuror që fabrikojnë prova dhe dëshmitarë për të shpëtuar kriminelët. Drejtues të kësaj strukture janë edhe Xhafaj me Arta Markun. Rama, Xhafaj, Balla, Arta Marku, Ardi Veliu kanë komplotuar për të manipuluar të vërtetën dhe për të mbrojtur një trafikant droge, Agron Xhafajn. Shteti i Ramës vendosi që të fabrikonte dëshmitarët me një qëllim; për të shpëtuar Agron Xhafajn.”

Basha flet për një diktaturë mafioze, në shërbim të së cilës sipas tij është vënë edhe Prokuroria.

“Drejtësia është kthyer në një drejtësi kriminale. Arta Marku nuk do të nisë kurrë hetimet për Taulant Ballën.”

Për të gjithë kundërshtarët e tij politikë të cilët i akuzon se janë rreshtuar në krah të krimit pati një paralajmërim.

“Edi Rama, Taulant Balla, Fatmir Xhafaj, Arta Marku, Ardi Veliu e shërbëtorët e tyre do të dalin para drejtësisë, sikur të gjithë kriminelët e tjerë. Drejtësia ndaj tyre nuk do të mungojë rruga e pandëshkueshmërisë do të marrë fund bashkë me pushtetin e tyre.”

Ditët e fundit Lulzim Basha ka ashpërsuar tonet ndaj Prokurorisë së Krimeve të Rënda të cilën e ka quajtur celulë të krimit të organizuar që po shkatërron hetimet për bandat e lidhura me pushtetin dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Tv Klan