Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, doli në një tjetër bashkëbisedim me gazetarët ku foli për krizën sipas tij të pandemisë. Basha tha se në 24 orët e fundit ka parë nga afër se sa i kolapsuar është sistemi shëndetësor. Ai ka treguar se është angazhuar me 4 raste të afërmish me Covid dhe pavarësisht kërkesave për testim, ato janë refuzuar nga ISHP-ja.

“Pavarësisht kërkesave të këtyre rasteve, testimi i pacientëve është refuzuar nga ISHP. Mungesa e testimeve, përpjekje e qëllimshme për të fshehur të vërtetën”, tha Basha.

Basha shtoi se Covid është përhapur shumë shpejt. Kreu i demokratëve deklaroi se Rama refuzon të japë përgjigje për mosblerjen e tamponëve dhe disbursimin e parave për oligarkët në kohë pandemie.

“Refuzon të përgjigjet pse hap para kamerave disa herë spitalin COVID 3 dhe nuk e hap asnjë ditë për pacientët. I fshihet pyetjes se përse nuk paguan bonusin për mjekët dhe infermierët”, tha Basha i cili shtoi se Rama nuk ka asnjë përgjigje për mostestimin e mësuesve.

Opozitari deklaroi se kryeministri lëviz si pushtues.

“Lëviz si pushtues. Kurrë më parë nuk ka lëvizur një kryeministër me autokolona prapa dhe para rojesh. Nga urrejtja e popullit nuk e mbrojnë dot”, tha Basha. /tvklan.al