“Qeveria është dorëzuar, e ka mendjen tek tenderat”

Lulzim Basha është takuar me ekspertë të shëndetësisë këtë të martë. Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se situata e përhapjes së Covid-19 ka dalë jashtë kontrollit. Kjo pasi numri i të infektuarve dhe viktimave po rritet çdo ditë. Përveç kësaj, në PD kanë shkuar ankesa për mungesën e kryerjes së testit.

3 muajt e izolimit sipas kryedemokratit Basha shkuan dëm për shkak të keqmenaxhimit të situatës. Ai shton se spitalet dhe qendrat shëndetësore janë vatrat kryesore të infeksionit. Përballë kësaj situate, sipas kreut të opozitës, qeveria është dorëzuar.

“Qeveria është dorëzuar dhe nuk po merr masa parandaluese, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve. Karantina 3 mujore shërbeu vetëm për vjedhjen e miliona lekëve përmes tenderave sekretë, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për kujdesin ndaj qytetarëve pas lehtësimit të kufizimeve”, shkruan Basha i cili shton se falë kësaj, mjekët dhe shqiptarët janë viktima.

Basha e përfundon postimin e tij duke thënë se vëmendja dhe kujdesi i qeverive në botë është fokusuar tek menaxhimi i situatës shëndetësore dhe ekonomisë, ndërsa qeveria e Ramës e ka mendjen tek tenderat e PPP-ve korruptive./tvklan.al